“Dan Doroci – simbol trimërie”, libri i ri i Çerkin Ibishit botohet në një ditë të veçantë për të

Sot nga shtypi ka dalë libri më i ri i autorit Çerkin Ibishi, i titulluar “Dan Doroci – simbol trimërie”, një vepër që sjell në dritë figurën dhe heroizmin e një prej emrave të njohur të historisë shqiptare, Ramadan Maliqit, i njohur si Dan Doroci, njofton Mitropol.
Ky botim ka një domethënie të veçantë për autorin, sepse përkon pikërisht me shënimin e 57-vjetorit të punësimit të tij. Që nga dita kur ai mori ditarin në dorë dhe nisi rrugëtimin e tij në arsim, e deri tek gazetaria ku la gjurmë të pashlyeshme me penën e tij, Çerkin Ibishi ka dëshmuar një përkushtim të gjatë në shërbim të dijes, informimit dhe brezave të rinj. Djali i tij, Jeton Ibishi, në një postim emocional ka theksuar se dashuria dhe përkushtimi i babait të tij për profesionin janë trashëgimia më e çmuar që ai lë pas.
Edhe shkrimtari Bedri Tahiri ka reaguar duke e quajtur librin “një libër të shumëpritur”. Ai ka vlerësuar kontributin e Çerkin Ibishit, duke theksuar se përmes këtij botimi lexuesit do të mësojnë më shumë për heroizmin dhe trimërinë e Dan Dorocit, i cili për vite me radhë ka jetuar në kujtesën popullore përmes këngëve dhe rrëfimeve.
“Një lapidar përjetësie për një trim syçeltë e të gjallë, që për të gjallë ishte tmerr për Beogradin”, – shkruan Tahiri në postimin e tij, duke e uruar autorin për suksesin e kësaj vepre.
Libri është botuar nga shtëpia botuese N.Sh. Fad-Prishtinë (2025) dhe vjen si një pasuri e re për letërsinë historike shqiptare, duke përjetësuar figurën e Dan Dorocit në Panteonin e lirisë, pranë kapedanëve dhe luftëtarëve më të shquar të kombit./Mitropol/








