
Deputeti shqiptar në Zvicër, Korab Rashiti, ka ngritur shqetësimin e tij për gjendjen ekonomike në Kosovë, duke e cilësuar atë si një proces të vetë-shkatërrimit. Ai ka theksuar se, pavarësisht se kush do të jetë në qeveri, katër vitet e ardhshme – me trendin aktual – do të jenë vitet më të rënda dhe më shkatërruese që vendi ka përjetuar ndonjëherë.
Sipas Rashitit, nuk ekziston asnjë perspektivë reale afatmesme që qytetarët të ndiejnë përmirësim ekonomik gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Ai u shpreh se asnjë forcë politike nuk posedon një strategji të qëndrueshme ekonomike dhe juridike që do ta kthente vendin në një kurs zhvillimor e stabil.
Deputeti kujtoi se Republika e Kosovës, prej shpalljes së pavarësisë më 2008 e deri më 2020, ka shënuar një progres të vazhdueshëm. Por, sipas tij, me këtë drejtim aktual, deri më 2030 vendi rrezikon të shndërrohet në një “ekonomi vampir” – një sistem që thith energjinë dhe pasurinë e qytetarëve pa krijuar vlerë të re, duke sjellë rritje dramatike të tensioneve shoqërore dhe politike.
“Kosova po hyn në një periudhë sprove historike,” theksoi Rashiti. “Ose do të arrijë të dalë më e fortë dhe më e pjekur si shoqëri, ose do të shpërbëhet deri në atomizim të plotë, duke humbur çdo potencial për stabilitet e zhvillim.”
Ai shtoi se tashmë ka ardhur koha që shoqëria e Kosovës të tregojë nivelin e saj të pjekurisë – nëse do të bjerë në kurthin e demagogjisë apo do të pranojë faktet dhe kuptimin e problemeve reale.
“Pyetja është: a duhen figura që flasin bukur, apo njerëz që me të vërtetë e bëjnë punën?”, tha Rashiti, duke paralajmëruar se për ditë më të mira, sakrificat do të jenë të mëdha dhe çmimi do të duhet të paguhet.
Në fund të reagimit të tij, deputeti citoi Thomas Sowell:
“Ai që të thotë të vërtetën, ta thotë për të të ndihmuar ty. Ai që të thotë atë që ti dëshiron të dëgjosh, e bën për të ndihmuar veten e vet.”








