
Në Spitalin “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, aty ku fëmijët vijnë me lot e ikin me buzëqeshje, ndodhet një prej reparteve më të ngarkuara por edhe më jetike, Pediatria, shkruan Mitropol.
Aty, në mesin e një ekipi të palodhur, spikat emri i një mjekeje që është kthyer në sinonim të kujdesit dhe profesionalizmit, emri i Dr. Jehona Sahiti-Bejta.
Ajo nuk është vetëm një doktoreshë pediatre. Ajo është zëri i butë që i qetëson fëmijët, dora e ngrohtë që u jep siguri prindërve dhe prania që i jep kuptim çdo dite të vështirë në këtë repart.
Reparti i Pediatrisë, ndër më të ngarkuarit në spital, është gjithashtu ndër më të suksesshmit. Kjo falë një ekipi që punon me zemër, që i njeh me emër çdo pacient dhe që ofron kujdes të nivelit të lartë në çdo hap. Në këtë sistem të mirëorganizuar, Dr. Jehona është një shtyllë që mban peshën me përkushtim dhe dashuri.
Por nuk është vetëm ajo. Përkrah saj qëndron një staf infermierësh që përditë dëshmojnë se përkujdesja nuk është vetëm profesion, por mision. Me buzëqeshje të përhershme dhe gatishmëri të palëkundur, ata janë pjesë e një strukture që funksionon me harmoninë e një organizmi të shëndetshëm.
Në Mitrovicë, kur përmendet emri i dr. Jehona Bejtës, qytetarët nuk flasin vetëm për një mjeke të zonës, ata flasin për një grua të përkushtuar, për një profesioniste të rrallë dhe për një figurë që ka fituar respektin e të gjithëve.
Sepse në Pediatri nuk trajtohen vetëm sëmundje, aty rikthehet buzëqeshja e fëmijërisë. Dhe për këtë, Dr. Jehona është drita që e bën këtë rikthim të mundur çdo ditë./Mitropol/








