
Një ditë pas incidentit të ndodhur në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë, ku një infermier u sulmua fizikisht nga një qytetar pas një fjalosjeje lidhur me trajtimin mjekësor, ka reaguar edhe Drejtoria Komunale për Shëndetësi.
Në reagimin zyrtar, Drejtoria ka dënuar ashpër sulmin ndaj infermierit kujdestar, duke theksuar se çdo akt dhune ndaj punonjësve shëndetësorë është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
“Personeli shëndetësor ka njoftuar menjëherë policinë dhe rasti është në procedim nga organet e rendit. Besojmë se do të marrë epilogun e merituar sipas ligjit”, thuhet në njoftim.
Në reagim, Drejtoria ka rikujtuar se për çdo pakënaqësi rreth shërbimeve shëndetësore, qytetarët kanë në dispozicion disa mekanizma institucionalë për adresimin e ankesave. Në të gjitha qendrat mjekësore janë të vendosura kutitë e ankesave, funksionon linja telefonike e veçantë e Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe zyra e Këshillit të Pacientëve në QKMF Mitrovicë, e cila pranon dhe shqyrton çdo vërejtje apo kritikë përmes Komisionit për Ankesat e Pacientëve, ku përfshihet edhe një përfaqësues i vetë pacientëve.
“Sjelljet e tilla janë të paarsyeshme, të papranueshme dhe duhet të dënohen me rigorozitet. Mjekët dhe infermierët e Urgjencës janë 24 orë në shërbim të qytetarëve, duke mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre pa dallim. Çdo akt dhune ndaj tyre jo vetëm që cenon dinjitetin e mantelbardhëve, por edhe rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”, theksohet në reagimin e Drejtorisë.
Drejtoria e Shëndetësisë dhe QKMF kanë falënderuar qytetarët e Mitrovicës për bashkëpunimin dhe respektin e treguar ndaj punëtorëve shëndetësorë, duke theksuar se ky incident është një rast i izoluar, që nuk reflekton kulturën dhe sjelljen e përgjithshme të qytetarëve të Mitrovicës ndaj mjekëve.
Në fund të reagimit, drejtori komunal për shëndetësi, dr. Fahri Shabani, ka shprehur përkushtimin e institucionit që udhëheq për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të garantuar sigurinë e mjekëve e infermierëve në ushtrimin e detyrës së tyre jetike.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi që, përveç kushteve më të mira për punë, t’u ofrojmë mantelbardhëve edhe sigurinë e nevojshme gjatë punës së tyre”, ka përfunduar Shabani.








