Dy arsyet pse çizmja e ushtarit të Serbisë nuk mund të shkelë përsëri në Kosovë

Çizmja e ushtarit të Serbisë po kërkohet të shkelë përsëri në tokën e Kosovës. Por, ekspertët juridikë na sigurojnë se kjo kërkesë është vetëm një absurditet në sytë e NATO-s.
Pas tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se do të kërkojë nga NATO vendosjen e një numri të ushtrisë serbe në Kosovë.
Por, sipas profesorit Besfort Rrecaj, kjo gjë është – edhe pse në përputhje me Rezolutën 1244 – është e pamundur për dy arsye.
“Në aspektin juridik, Vuçiq i referohet Rezolutës 1244 dhe Marrëveshjes së Kumanovës, e cila mund ta lejojë kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Kjo logjikë është absurde në kontekstin aktual të rrethanave. Ne kemi ndryshim fondamental të rrethanave në Kosovë, veçanërisht pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kthimi eventual i ushtrisë serbe është i pamundur për dy arsye;
1. Për arsye se Kosova në bashkëpunim me NATO-n është e aftë ta menaxhojë situatën e sigurisë në vend dhe,
2. NATO-ja megjithatë e njeh realitetin e krijuar në Kosovë pas vitit 2008, pra është e gatshme vetë ose me ndihmën e institucioneve të Kosovës të adresojë çfarëdo sfide të sigurisë në Kosovë” – shprehet Rrecaj për Nacionale.
Megjithatë, meqë rezoluta ia jep Serbisë të drejtën për kërkesë, në cilin moment kjo kërkesë do të pranohej nga NATO?
“Duhet bërë edhe një pyetje pastaj, a kemi një standard të përcaktimit se cili prag duhet të kalohet, apo a kemi ndonjë matës real për eskalimin e situatës, nuk e kemi” – thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare.
E nëse ideja është që ushtria e Serbisë në veri të sigurojë paqen, në rastin tonë, Rrecaj thotë se kjo do të jepte efektin e kundërt.
“Nuk po shoh që kemi ndonjë situatë që eventualisht do të prodhonte tensionim të pakontrollueshëm në Kosovë, e që eventualisht do t’i shkonte përshtati Serbisë. Përkundrazi, ardhja e personelit ushtarak në Kosovë, edhe më shumë e tensionon situatën e sigurisë në Kosovë”.
Një fije shprese Vuçiqit ia dha britaniku ish-zyrtari i NATO-s, Jaime Shea, i cili ishte pjesë e NATO-s deri në pensionimin e tij në vitin 2018, kur tha se kthimi i trupave serbe në Kosovë do të lejohej vetëm “nëse ndihmon në qetësimin e situatës”.
Megjithatë, shteti më me “peshë” në NATO, u deklarua qartë se një kërkesë të tillë kundërshtohet kategorikisht nga SHBA-ja.
“Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara” – tha në një intervistë për REL, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Pra, cili është roli i SHBA-së si aleati më i madh i Kosovës brenda NATO-s në këtë çështje?
Jo-zyrtarisht, organizata ushtarake më e fortë në planet, NATO, drejtohet nga shteti ushtarakisht më i fortë, SHBA-ja. Lidhur me këtë, Rrecaj thotë se “Nganjëherë në mënyrë metaforike themi ‘Brenda NATO-s, të gjithë anëtarët janë të barabartë, por një anëtar është më të barabartë se tjerët’. Kështu që kjo e tregon më shumë mënyrën e funksionimit”.
“Rrezikun më të madh për cenimin e sovranitetit të Kosovës e shoh jo nga Serbia direkt, por nga mundësia që Serbia t’i marrë aleatët tanë në krah të saj. Parimisht dhe juridikisht, të gjitha shtetet anëtare të NATO-s janë të barabarta, edhe në vendimmarrje. Mirëpo, praktikisht dihet që suksesi i NATO-s si organizatë i atribuohet një lidershipi si SHBA-ja dhe rrjedhimisht qëndrimi amerikan ka peshë të madhe brenda aleancës”, thotë profesori i fakultetit juridik në UP, Besfort Rrecaj.
Fatkeqësisht, sipas Rrecajt, Bashkimit Evropian po i mungon një lidership, ndryshe prej asaj që e ka NATO.
“Ne nganjëherë e bëjmë krahasimin me Bashkimin Evropian ku kemi një përfaqësim të barabartë edhe faktik. Mirëpo shohim se në politika të jashtme, të mbrojtjes dhe të sigurisë, kemi një mungesë të përfaqësimit real të fuqisë që e prezanton BE-ja dhe kjo pikërisht për shkak të mungesës së një lidershipi që shtyn përpara procesin e vendimmarrjes” – përfundoi Rrecaj.
Temës së rikthimit të ushtrisë serbe në Kosovës ju paraprinë disa zhvillime në veri të vendit.
Katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kanë mbetur pa kryetarë që nga nëntori, pas dorëheqjes së tyre.
Ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna – i kundërshton zgjedhjet e reja njëherë përnjëherë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në këto katër komuna. Por, kjo s’u bë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, vlerësoi se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të caktuara më këtë datë, duke thënë se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës “duhet të jetë prioriteti më i lartë”.
Situata u tensionua edhe më shumë pak ditë më pas, kur Policia e Kosovës arrestoi serbin Dejan Pantiq me dyshimin se sulmoi zyrën e KQZ-së në Mitrovicën Veriore, e Lista Serbe menjëherë vendosi barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. /Nacionale/








