E FUNDIT: Një person e gjuan me armë Policinë dhe ikë maleve duke e lënë çantën me drogë

Policia e Kosovës, respektivisht njësia hetimore nga Departamenti i Kufirit, gjatë veprimeve hetimore në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri përgjatë vijës së gjelbër, ka hasur në një person të dyshuar i cili ishte duke e bartur një çantë dhe ishte i armatosur, shkruan Mitropol.
Personi i njejtë ka shtënë me armë zjarri drejt policisë në momentin që ka hetuar se zyrtarët policorë po afrohen në drejtim të tij.
Ndërkaq, zyrtarët policorë kanë tentuar që ta ndalojnë të dyshuarin duke u prezantuar, mirëpo i njëjti ka hedhur çantën dhe ka arritur që të dalë në zonën malore në drejtim të Shqipërisë.
Lidhur me këtë rast, është kontrolluar çanta e dyshimtë, ku është gjetur sasi e substancës narkotike të llojit mariuhuanë.
Për veprimet e ndërmarra lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti i cili mbetet të trajtohet nga DHTN – Prizren.







