
Sjellja e papërgjegjshme e disa qytetarëve mitrovicas po e shëmton vendin. Vendi që supozohet të jetë “mushkëri” e Mitrovicës, Liqeni Akumulues, ka marrë një pamje të shëmtuar, pasi dikujt fidanet e pemëve aty ia kanë ‘zënë rrugën’ shkruan Mitropol.
Andaj kushdo qoftë ai apo ajo që pati problem me drunjtë e njomë, me sytha të gatshme për të çelur, theu dy trupa të tyre, duke i lënë të shtrira përtoke.
Një qytetare ka dërguar fotografitë e kësaj gjendjeje në redaksi të “Mitropol”, duke potencuar dhembshurinë që ndjeu kur i pa pemët në atë gjendje.
”Kur do të mësohemi ta respektojmë pronën publike”, pyeti ajo e mbushur me mllef karshi atyre që vepruan kështu.
Ndryshe, Mitropol ka raportuar disa herë edhe për dëmtime e lojërave për fëmijë, ulëseve, shportave e madje edhe për vjedhjen e rërës dhe kockave nga hapësirat e liqenit si dhe për nevojën e madhe që aty të angazhohen rojtarë për parandalimin e degradimit të mëtejshëm të këtij ambienti./Mitropol/









