
Në një komunikatë të ngrohtë e plot respekt, Klubi i Futbollit Trepça ka shprehur mirënjohjen e thellë për trajnerin Emin Baliqi dhe ndihmësin e tij Shpëtim Fetahu, të cilët pas pesë vitesh bashkëpunim po ndahen nga skuadra mitrovicase, shkruan Mitropol.
Në njoftim, klubi thekson se periudha e punës së tyre ka qenë një kapitull i rëndësishëm në historinë moderne të Trepçës, duke vlerësuar profesionalizmin, disiplinën dhe pasionin me të cilin kanë udhëhequr ekipin gjatë këtyre viteve.
“Me profesionalizëm, disiplinë dhe pasion, ata kanë ndërtuar një skuadër konkurruese, kanë zhvilluar shumë futbollistë të rinj dhe kanë kontribuar në ngritjen e standardit të punës brenda klubit”, thuhet në komunikatë.
Trajneri Baliqi dhe ndihmësi Fetahu janë përmendur si pjesë e pandashme e “familjes së Trepçës”, duke lënë pas një trashëgimi që shkon përtej rezultateve në fushë, një frymë bashkëpunimi, karakteri dhe përkushtimi që, siç thekson klubi, do të mbetet e gdhendur në kujtesën e të gjithë atyre që janë pjesë e kësaj historie.
Në komunikatë po ashtu theksohet se ndarja nuk nënkupton fundin e bashkëpunimit, por një ndalesë e përkohshme në rrugëtimin e përbashkët që i bashkon përmes futbollit.
“Rrugët tona po ndahen përkohësisht, por respekti dhe vlerësimi për punën e tyre mbeten të palëkundura. Derën e Trepçës do ta kenë gjithmonë të hapur, sepse ky nuk është një fund, por një ndalesë e përkohshme në rrugën e gjatë të futbollit.”
Mesazhi përmbyllet me një notë miqësore dhe simbolike.
“Nuk është lamtumirë – por mirëupafshim.”
Kështu, Trepça mbyll një kapitull të rëndësishëm të punës së saj me dy figura që kanë dhënë shumë për zhvillimin e klubit dhe për rritjen e futbollit në Mitrovicë, duke lënë pas gjurmë të forta që do të kujtohen gjatë.







