Escobar edhe pas takimit me Kurtin përmend Asociacionin, Lajçak s’i komenton “1000 trupat serbe në veri”

Ka përfunduar takimi i emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, atij evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Situata në veri dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ishin disa prej temave që duket se janë diskutuar në këtë takim.
Diplomati amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se e ka bërë shumë të qartë që duhet të fillojë zbatimi i Asociacionit, derisa shtoi se pret një zgjidhje për krizën.
“Duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë të qartë këtë. Shpresoj që të kemi një zgjidhje shumë afër në kët krizë.”, ka thënë ai.
Tutje, ai ripërsëriti, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkrahin propozimin franko-gjerman, për një marrëveshje mes dy vendeve.
“Shpresoj qe presionet mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojnë shumë shpejt, e mbështesim planin franko-gjerman.” – tha ai.
Ndërkaq, emisari evropian, Mirsolav Lajçak, tha se nuk mund të tregoë detaje rreth takimit, por konfirmoi se pak më vonë, do të takohet me shefat e misioneve të KFOR-it dhe EULEX-it.
“Pata një takim të veçantë me kryeministrin Kurti, nuk mund të tregoj detaje, sepse kjo është në mes të misionit tim, do të shkojë edhe në Beograd. Sot më vonë do të takohem me misionin e KFOR-it dhe të EULEX-it. Duhet të gjejmë zgjidhje, nuk është mirë. Nuk mund të presim gjëra të këqija të ndodhin, tensionet nuk e ndihmojnë askënd.” – tha ai.
Lajçak nga gazetarët është pyetur për paralajmërimet e Serbisë se do t’i kërkojë KFOR-it që ta lejojë vendosjen e 1 mijë trupave serbe në veri, deklaratë të cilën s’e komentoi shumë.
“Shumë gjëra po thuhen këto ditë, atmosfera është shumë e nexehtë, dhe për këtë, duhet të fokusohemi te ajo që është më e rëndësishme, që njerëzit t’i rikthehen jetës ormale dhe agjendës pozitive.” – tha ai. /Nacionale/








