Familja Aliu kundërshton versionin e mediave: “Ngjarja në Kçiq nuk është pasqyruar drejt – policia ka dështuar të veprojë”

Ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmë në fshatin Kçiq i Madh të Mitrovicës, ku një 18-vjeçar pësoi lëndime të rënda pas një sulmi fizik, vazhdon të ngjallë reagime.
Ndërsa mediat gjatë ditës raportuan se tre persona – Jonadër Aliu (22), Arbër Aliu (20) dhe një i mitur A.A. – kishin sulmuar me shufra hekuri një të ri, komshiun e tyre A.D, duke i shkaktuar fraktura në kokë dhe duke e detyruar transferimin e tij në QKUK, familja Aliu ka dalë me një version tjetër të ngjarjes, të cilin e konsideron të plotësuar dhe më afër të vërtetës.
Pretendimet e familjes Aliu
Flakrim Aliu, axha i të dyshuarve, ka kontaktuar redaksinë e Mitropol duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën si është raportuar ngjarja në mediat vendore.
Ai thekson se sulmi i ndodhur mbrëmë nuk duhet parë si një incident i izoluar, por si pasojë e një zinxhiri shantazhesh, kërcënimesh dhe dhunimi të vazhdueshëm që, sipas tij, kanë ardhur nga viktima A.D. dhe daja i tij, Jeton Imeri, ndaj tashmë të dyshuarve për sulmin e mbrëmshëm.
Sipas Flakrim Aliut, prej rreth 10 muajsh, djemtë e familjes Aliu janë përballur me shantazhe, dhunë dhe frikësim me armë. Ai ka deklaruar se viktima, bashkë me dajën e tij, në disa raste, madje ka përdorur armë zjarri dhe granata dore për t’i kërcënuar, si dhe ka ushtruar presion financiar ndaj tyre. Një nga rastet që ai e përmendi ishte detyrimi i Arianit Aliut për të paguar para, e kur kjo nuk ka qenë e mundur, sipas tij, është kërkuar që të dërgojë edhe pula në shtëpinë e palës tjetër si “haraç”.
Akuzat ndaj Policisë
Axha i të dyshuarve tregon se vetëm një ditë para ngjarjes ka qenë katër herë në polici për të denoncuar Jeton Imerin dhe A.D., duke theksuar rrezikun që mund të ndodhte nëse institucionet nuk do të vepronin. Ai thotë se së bashku me Arianit Aliun, në cilësinë e viktimës, kanë raportuar rastet e dhunës dhe shantazhit, por se policia nuk ka ndërmarrë masa konkrete.
“Mungesa e reagimit të policisë e solli këtë problem,” theksoi ai, duke i bërë përgjegjës institucionet për mosparandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Ndihma ndaj viktimës pas incidentit
Flakrim Aliu shprehet se familja e tij nuk ka pasur qëllim armiqësor ndaj fqinjëve, përkundrazi, raportet mes dy familjeve i konsideron të mira. Ai tregoi se pas incidentit, bashkë me babain e Jonadër dhe Arbër Aliut, e kanë dërguar vetë në spital viktimën A.D., i cili kishte pësuar lëndime të rënda. Gjatë rrugës për në spital, tha ai, janë aksidentuar pranë furrës “2 Korriku” në Mitrovicë, për çka ka dërguar edhe dëshmi, por megjithatë thotë se kanë arritur ta dërgojnë të lënduarin në emergjencë.

Në fund, familja Aliu kërkon që të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjitha palët dhe që të hetohen me seriozitet shkaqet që kanë çuar deri te incidenti. Sipas tyre, drejtësia nuk mund të vihet në vend përderisa Jeton Imeri, të cilin e konsiderojnë organizator të dhunës dhe shantazhit, vazhdon të jetë në liri.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”. Dy nga të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa njëri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje që ka trazuar opinionin në Mitrovicë dhe ka rënduar raportet mes dy familjeve fqinje./Mitropol/







