
Ka filluar sot testimi fizik i grupit të parë të të rinjve, të cilët synojnë të shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ata kanë aplikuar përmes konkursit për pranimin e 612 pjesëtarëve të rinj aktiv dhe 388 të komponentës rezervë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka potencuar se ka ndjekur nga afër procesin e testimit në Qendrën e Palestrës së Sporteve në Kazermën “Adem Jashari” i cili filloi sot, shkruan “Mitropol”.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është Forcë që synon shërbimin në NATO, andaj dhe ushtarët tanë janë të nivelit të tillë”, shtoi tutje Mehaj
Postimi i plotë:
Sot filloi testimi fizik i grupit të parë të të rinjëve të cilët kanë aplikuar në konkursin për pranimin e 612 pjesëtarëve aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe 388 pjesëtarëve të komponentës rezervë, me ç’rast vizitova Qendrën e Palestrës së Sporteve në kazermën “Adem Jashari”, për të parë nga afër procesin e testimit, si dhe u urova të gjithë kandidatëve suksese.
Është vërtetë kënaqësi teksa sheh të rinj e të reja që me kaq vullnet mezi presin t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministria e Mbrojtes si institucion dhe FSK si organizatë, u garanton proces transparent, të monitoruar nga instruktorët e FSK-së, përfaqësuesit e Zyres Ndërlidhëse të NATO-s, organizatat joqeveritare, si dhe mediet, duke mundësuar kështu raportim në kohë reale, e përzgjedhjen e më të mirëve.
Forca e Sigurisë së Kosovës është Forcë që synon shërbimin në NATO, andaj dhe ushtarët tanë janë të nivelit të tillë. Më të mirët për t’i shërbyer aleancës më të suksese!









