
Ylli i KB “Golden Eagle Ylli”, Gëzim Morina sezonin e ardhshëm pritet të jetë pjesë e klubit mitrovicas KB “Trepça”, mëson ekskluzivisht “Mitropol” nga burime të veta.
Burime të sigurta të “Mitropol” kanë bërë të ditur se Morina ka pasur një takim me zyrtarë të kryesisë së klubit, i shoqëruar nga disa lojtarë të Trepçës.
Sezonin 2022/23 në Prince Caffe Superligën e Kosovës në Basketboll, Morina e filloi 7 ndeshje me vonesë. Vonesa e tij erdhi si shkak i një lëndimi që kishte para fillimit të sezonit. Nga 28 ndeshje në kampionat, ish-reprezentuesi i Sllovenisë U-20, arriti të luante në 19 ndeshje.
Nga 19 ndeshjet e zhvilluara për Golden Eagle Yllin, reprezentuesi i Kosovës, ndihmoi ekipin e tij me një mesatare prej 9 pikëve, 5 kërcimeve dhe 2 asistimeve. Në ndeshjet e sezonit 22/23 ku mbrojti ngjyrat e suharekasve, Morina pati minutazhë prej 27 minuta e 9 sekonda për ndeshje.
Gëzim Morina me Yllin arritën ta sigurojnë vendin e tretë në kampionat dhe shkuan deri në gjysëm – finale të play-off. Rrugëtimi i Xhebrailave u ndal një hap para finales nga KB Peja, ku u mposhtën 3 – 1 në seri./Mitropol/








