Gjykata Kushtetuese: Shkarkimi i Agron Bekës nga KPK-ja nuk bie ndesh me Kushtetutën
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur mbi kërkesën e parashtruar nga Abelard Tahiri dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Agron Bekës nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Gjykata, me vendim unanim, ka deklaruar kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se vendimi i Kuvendit nr. 08-V-668, i datës 15 dhjetor 2023, është në përputhje me nenin 65 dhe nenin 110 të Kushtetutës.
“Gjykata, ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë se Vendimi [nr. 08-V-668] i 15 dhjetorit 2023 i Kuvendit, nuk është në kundërshtim me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] si dhe paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Deputetët parashtrues kishin kontestuar vendimin, duke pretenduar cenim të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së KPK-së.
Megjithatë, Gjykata argumentoi se Kuvendi ka vepruar brenda kompetencave kushtetuese për të ruajtur balancimin dhe pavarësinë institucionale.
Më 26 dhjetor 2023, deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Agron Beka.
Ndryshe, më 15 dhjetor 2023, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan Agron Bekën nga pozita e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për shkarkimin e tij, votuan 62 deputetë.
Pas shkarkimit të Bekës, kishte reaguar edhe KPK-ja, duke paralajmëruar kontestim të vendimit përmes mekanizmave ligjor.
Më 25 shtator 2023 ishte miratuar rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Inicimi erdhi pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar më 18 shkurt 2023 me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. /BetimipërDrejtësi