
Gjyqtari me i mirë në Superligën e Kosovës në futboll për vitin e kaluar, Dardan Çaka ka dështuar në testet fizike të cilat kanë qenë nën mbikqyrjen e FIFA-s.
Çaka, një ndër gjyqtarët më premtues në vitet e fundit ka dështuar të kalojë testet fizike.
Insajderi ekskluzivisht ju sjell emrat e gjyqtarëve elitarë të cilët nuk kanë arritur të kalojnë testet fizike. Përveç Çakës, kanë dështuar: Gramos Shala, Shpëtim Murtezaj, Valon Abazi, Bardh Ajeti, Valbon Hoxha, Arben Halilaj, Lumturie Muhadri, Burim Jahmurataj, Lirim Jashari.
Në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të garave, në organizim të FFK-së, është duke u mbajtur seminari katërditor me gjyqtarët e futbollit. Ky seminar është duke u mbajtur nën udhëheqjen e z. Alan Snoddy – instruktor i FIFA-s për gjyqtarë dhe z. Grzegorz Krzosek – trajner i fitnesit në FIFA.
Gjatë këtij seminari janë duke u ligjëruar tema të ndryshme siç janë: incidentet në zonën e penalltisë, menaxhimi i lojës, loja me dorë, VAR-linja e intervenimit, e ndër to edhe ndryshimet e reja të rregullave, të cilat do të fillojnë të zbatohen në fillim të edicionit.








