
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që të marrë pjesë në protestën që do të mbahet të premten në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Gucati tha se nëse Lëvizja Vetëvendosje vërtet e mbështet këtë kauzë, atëherë Kurti duhet të jetë prezent në sheshin “Skënderbeu”.
“Nëse Lëvizja Vetëvendosje na përkrahë me shpirt e zemër, atëherë nesër i ka hije Kurtit me ardhë në sheshin ‘Skënderbeu’ të bashkëngjitet me gjithë shqiptarët. Jo të shkruaj në rrjete sociale. Reagimi i tij është i vakët. Nëse Kurti e mbështet UÇK-në, nesër të vjen në protestë dhe është i mirëseardhur”, ka deklaruar Gucati në një intervistë për Tëvë1.
Protesta është paralajmëruar të mbahet të premten në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë.







