Hasani: Rashiq s’mund të propozohet për nënkryetar në emër të komunitetit serb, është kundërkushteteuse

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se ajo që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarëve nga komuniteti jo-shumicë ka qenë tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se nuk mund të pyetet komuniteti shumicë për të drejtat kushtetuese të komuniteteve joshumicë.
Hasani ka thënë se deputeti Nenad Rashiq nuk ka të drejtë dhe nuk mund të propozohet për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës në emër të komunitetit serb.
Sipas tij, atë propozim mund ta bëjë vetëm grupi parlamentar i serbëve në Kuvendin e Kosovës.
“Zoti Rashiq nuk ka asnjë të drejtë të propozohet, as sipas Kushtetutës së Kosovës dhe as sipas Rregullores së Kuvendit. Votimi duhet të bëhet nga shumica e komunitetit serb, gjë që Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e përcaktojnë qartë. Rregullorja është akti i vetëm nënligjor që normohet plotësisht me Kushtetutën e Kosovës dhe shërben si parametër matës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve të Kuvendit TË Kosovës, nëse ato përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.”, tha ai për Nacionalen.








