OP-ED

Historia interesante e Arton Beqirit, kardiologut që ma kishte operuar babën

Shkruan: Berat Buzhala

Kjo nuk është historia e një operimi, por historia e një mjeku. Është historia e një mjeku që iku, dhe e një mjeku që po kthehet përsëri në Kosovë. Është historia që na ndërlidh të gjithëve, e që do të duhej t’i jepnim zgjidhje para se të dëgjojmë piskamën kolektive.

Market Florenti
KL
Florenti Company
Koha

Në qershor të vitit 2013 baba ishte shembur në oborr. Stentat e vendosura në zemër një muaj më parë i dështuan, e bashkë me to edhe mijëra euro. Atë ditë unë nuk isha në Prishtinë. Vëllai më thirri për të më treguar që “Tati nuk është mirë” dhe ishte nisur në drejtim të spitalit. Aty te rrethrrotullimi i Albit kishte vendosur në nguti e sipër se në cfarë drejtimi ta niste babën, kah QKUK apo te një spital turk që ndodhej në drejtim të HIB’it, rrugës për Ferizaj. Intuita i kishte thënë që të shkonte në spital privat dhe kishte bërë mirë. Kur u ktheva unë nga fshati, tash mjekët e kishin marrë situatën nën kontroll. Babës kishte filluar t’i kthehej vetëdija, ani pse gjendjen e kishte kritike. Duhej të operohej patjetër, por përpara se ta bënin një gjë të tillë duhej që gjendja e pacientit të qetësohej.
Mjekët më thanë atë ditë që kur një pacient ka sulm në zemër, atëherë ai ose duhet të futet mënjeherë në sallë të operacionit, nëse gjendja është shumë e rëndë, ose nëse ka shpresë që ai do të qetësohet, atëherë do të ishte mirë që të pritej të qetësoheshin analizat e gjakut, në mënyrë që operacioni të ishte më i sigurt. Ose ndoshta nuk më kanë thënë saktësisht kështu dhe sot kur ndonjë mjek ta lexojë këtë shkrim do të mund të thotë që “paskan qenë mjekët e dobët”. Për çdo interpretim të gabuar e marrë unë përgjegjësinë, sepse fatbardhësisht çdo gjë kishte shkuar sipas planit të mjekëve.

Njëri prej mjekëve që kishte marrë pjesë në operacion, Arton Beqiri, një djalë i ri dhe i talentuar, pas pak kohësh ishte larguar nga Kosova. Për vite të tëra doktor Artoni ishte akomoduar në punën e tij në një spital të zemrës në Gjermani. Në ndërkohë, sa herë që dikush prej Kosovës ka pasur nevojë për ndihmë jashtë shtetit, doktor Artoni ishte në dispozicion. Zakonisht kur njerëzit kanë probleme shëndetësore lidhen me mjekun më shumë se sa me çdo profesionist tjetër. Vdekja, prania e saj, afërsia e saj, kanë diçka magjike. Ajo nuk ndodhet askund më afër teje se sa kur ti je në spital. Aty është vendi ku jeta dhe vdekja takohen. Në mes tyre qëndron mjeku. Me fjalë të tjera doktor Artoni ishte shndërruar në mik personal timin dhe të babës.
“Shumë doktor i mirë, i amël me folë me të”, thoshte baba.
Po get u pate tutë shumë”, i thosha unë.

Mjeket e rinj janë shumë më modest se sa gjeneratat e vjetra. Ndoshta pse kanë qënë më pak, ndoshta pse kanë qënë më të privilegjuar, gjeneratat e vjetra të mjekëve, jo të gjithë sigurisht, kanë qënë më arrogantë, prandaj kur baballarët tanë takoheshin me mjekë të urtë e të sjellshëm si Artoni lehtësisht dashuroheshin në ta.

Baba e kaloi operacionin, u këndell nga bypass’i, kurse doktor Artoni u largua nga Kosova. Por jo nga profesioni. Sa herë që kam biseduar më të e kam pyetur se si po kalonte në Gjermani.
“Shkenca ka ecë shumë shoki, kemi shumë punë, por edhe po mësojmë shumë”, më ka thënë çdo herë.
Universiteti i Prishtinës, por edhe universitet në rajon, nuk po them që janë shkolla të dobëta, por niveli i tyre nuk mund të edukojë dhe mësojë më shumë se sa njohuritë bazike mjekësore, që kanë nevojë për mbështetje dhe zhvillim të mëtutjeshëm. Unë i ndaj shqetësimet me të gjitha ata njerëz që janë të brengosur që Kosova po zbrazet prej mjekëve, por në fund të këtij tuneli e shoh një grimë shpresë dhe një të ardhme më të mirë. Kjo armatë mjekësh që po shkon në Gjermani dhe gjetkë në Perëndim për të punuar në profesionin e vet, përveç tjerash, po shkon atje edhe për të mësuar më shumë. Po shkon atje, siç më kishte thënë vazhdimisht doktor Artoni, për të parë se si “shkenca ka ecë shoki”.

Mijëra mjekë në Kosovë, pa pajisje të duhura, pa arsmim dhe praktikë të duhur, vlejnë më pak se sa disa qindra që kanë punuar dhe janë zhvilluar në Munich, Berlin a Hanover.
Strategjia e qeverisë së Kosovës, nëse ata e kanë një, ose nëse ata ndonjëherë do ta bëjnë një, do të duhej të ishte që këto kuadro që po ikën tash, nesër t’i kthejnë prapa. Këta burra dhe gra do të duhej të ishin e ardhmja e mjekësisë së Kosovës. Këta janë shpresa jonë kryesore për të punuar pas disa vitesh në QKUK, në Fakultet të Mjekësisë, e pse jo edhe në klinika private.

Fatkeqësisht ne si shoqëri kemi problem të madh me njerëzit tanë që arrijnë rezultate kulmore jashtë vendit, e që një ditë do të vendosin që të zhvillojnë biznesin në vendin e tyre. Mentaliteti i një pjesë të popullatës dhe një pjesë të politikës është ndihma, donacioni dhe sadakja. Mirëpo, kanë kaluar dy dekada e më tepër prej luftës dhe kjo logjikë do të duhej të ishte shpallur e vdekur që kushedi sa vite.

As Dua Lipa, as kardiologu, as internisti, as onkologu, e as anasteziologu i mirë, nuk do ta sakrifikojnë vetën dhe familjen e tyre veç pse ne kemi mbetur peng i disa ideve absurde, duke u frikësuar që dikush po dëshiron të fitojë shumë. Kjo frikë e jona është qesharake. Është frikë e dështakëve që nuk kanë bërë asgjë në jetë.
Prej kësaj grope do të dalim veç kur do ta kemi një qeveri të guximshme, një qeveri që nuk shpërndan ndihma por shpërndan vizion, një qeveri që nuk e glorifikon të varfërin dhe dehumanizon të pasurin.

Në kapitalizëm shteti dhe biznesi privat nuk konkurrojnë me njëri tjetrin, nuk janë rivalë. Në kapitalizëm shteti i dëgjon më vëmendje kërkesat e biznesit privat, e njerëzve me ide për zhvillim, pa u matur fitimin, pa i xhelozuar ata. Është absurde të shpërndash ndihma nga buxheti, që mbushet prej atyre që bëjnë biznes, e në anën tjetër të ndjekësh politika hakmarrëse ndaj çdokujt që është pasuruar. Nuk mund ta mjelësh lopën pafundësisht pa e ushqyer atë. Një ditë ajo do të ngordhë.

Çfarë dëshiroj të them është kjo: Këta mjekë që po ikin, e këta që kanë ikur më herët, shteti duhet t’i ftojë të investojnë në vendin e tyre. Miliona euro kosovarët i çojnë në spitalet turke, në spitalet maqedone dhe në spitalet shqiptare. Nuk janë pak miliona, janë qindra miliona. Në Maqedoni dhe Turqi shteti ka bashkëpunuar me spitalet private, për ta zhvilluar të ashtuquajturin turizëm shëndetësor. Te ne, në anën tjetër, preokupimi kryesor i ziliçarëve, i smirëzinjve, është mos rastësisht dikush në vendin tonë po pasurohet, mos dikujt rastësisht shteti ia ka ndarë ndonjë pronë, e ndonjë privilegj. Në anën tjetër, pse po i çojmë qindra miliona euro dikah tjetër, kjo nuk e pengon askënd.

Para disa ditëve bisedova me doktor Artonin dhe e pyeta se si po kalonte në Gjermani. Më tregoi që po kthehej në Kosovë, bashkë me një partner të tij, dhe do ta hapin një spital të zemrës. Kthimi i doktor Artonit dhe cdo doktori tjetër që ka operuar në Gjermani për 7-8 vite është një vlerë e madhe për mjekësinë e Kosovës. Këta njerëz i kanë parë dhe prekur të arriturat e fundit në mjekësi. Këta njerëz flasin shumë gjuhë të botës. Këta njerëz janë e ardhmja e mjekësisë së Kosovës.

Unë jam i bindur që i gjithë investimi i doktor Artonit është vetanak. Po të isha unë ministër, po të isha unë kryeministër, ndryshe do ta menaxhoja këtë proces. Të gjithë këtyre profesionistëve që do të vendosnin të ktheheshin në vendin e tyre do t’u ndihmoja me çdo gjë që do të kisha në dispozicion. Do t’u ndaja toka dhe do t’u bëja lehtësime tatimore. Në këmbim do t’u kërkoja një kontribut të tyre për mjekësinë publike. Një operacion në spital të shtetit, për ata që nuk kanë.

I bindur jam që kjo çfarë po e them nuk do të ndodhë. Së paku jo në këtë klimë antibiznes dhe profukarallëk.

Në anën tjetër doktor Artonit dhe partnerit të tij i dëshiroj sukses në avanturën e re. Duke e ditur që Artoni dhe mjek si Artoni janë në Kosovë unë do të flej më i sigurt në Prishtinë.