I dënuar për zhvatje, historia tjetër e Nusret Cenës që u vra mbrëmë me breshri plumbash në Kaçanik

Nustret Cena, 48-vjeçari që u vra mbrëmë ishte dënuar në rastin “Zharku”. Cena ishte dënuar me 1 vjet e një muaj burgim.
Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Cenën fajtor për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës, shkruan Insajderi.
Bashkë me të ishte dënuar edhe ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Xharku, i cili më pas ishte arratisur për në Suedi.
Cena ka qenë i përfshirë edhe në shpërthimin që ndodhi në lokalin “Sekiraqa” në vitin 2007, Prishtinë. Ai ka qenë i dyshuar për shpërthimin në këtë lokal, por në vitin 2013 ishte liruar nga akuzat.
Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 27 shtator 2007 qenë vrarë dy persona, Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe plagosur 11 të tjerë.
Sikur të mos mjaftonte dënimi me burgim për zhvatje, dhe ngritja e aktakuzës për një kohë në rastin “Sekiraqa”, Cena ka pasur të ngritur një aktakuzë tjetër për përfshirje në vrasjen e tre personave në Kacanik: Urim Baftiut (16 vjeç), Sylejman Baftiut (17) dhe Neshat Baftiut (28).
Dy burra, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, që të dy ish oficerë të forcave speciale policore të Kosovës, ishin dënuan për vrasjet. Gjithsesi i dyshuari i tretë në vrasjen e trefishtë të familjes Baftiu, ishte Nusret Cena. Ai doli i pafajshëm në këtë rast.








