Inspeksioni detyron lokalin afarist tek Qendra Zejtare ta lirojë hapësirën publike, denohet me 50€ për ndotje

Inspektorati i Komunës së Mitrovicës ka detyruar një lokal afarist në Qendrën Zejtare në Mitrovicë ta lirojë hapësirën publike që kishte uzurpuar me rrethoja dhe ombrella, mëson Mitropol.
Veç detyrimit për lirim të hapësirës publike me ndihmën e Policisë së Kosovës, Inspektorati i ka shqiptuar lokalit edhe një gjobë në vlerë prej 50 eurosh për ndotje të hapësirave publike me mbeturina.
Denimin e shqiptuar karshi këtij subjekti afarist e ka konfirmuar për “Mitropol” edhe drejtori i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi.
Ai ka potencuar se këto veprime po ndërmerren për ta kthyer rendin komunal.
“Jemi të përcaktuar për ligjshmëri, rend komunal dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante për luftimin e çdo aktiviteti ilegal që bie në kompetencat e Drejtorisë së Inspekcionit”, ka thënë Brahimi për Mitropol.
Kujtojmë se Drejtoria e Inspekcionit ka njoftuar të gjitha subjektet afariste se që nag data 4 prill e kanë të ndaluar vendosjen e kiosqeve, frigoriferëve, stendat e hapura lëvizëse, lodrat për fëmijë gjeneratorët statik e gjësende tjera të cilat i vendosin pa leje në hapësira publike./Mitropol/








