Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron vërshime në disa komuna të Kosovës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se reshjet e shiut që kanë filluar mund të paraqesin vërshime të shpejta.
Sipas IHK-së, situata e ngarkuar pritet të jetë në sistemet e lumenjve në Klinë, Lumi i Istogut, Drini Bardhë (rrjedha e sipërme), Bistrica e Pejës, Deçanit, Ereniku, dhe në lindje, pellgu Morava e Binçës.
“Reshet të intensitetit të ulët të cilat kanë filluar gjatë ditës së sotme dt: 26.02.2023, në pjesën perëndimore dhe jugore, gradualisht do të përfshinë pjesën më të madhe të vendit, ku si pasojë gjatë dt: 27.02.2023, nëpër disa zona të lokalizuara mund të paraqiten vërshime të shpejta. Situatë më e ngarkuar parashihet të jetë në pjesën perëndimore të vendit, kryesisht në sistemet e lumenjve, Klina, Lumi Istogut, Drini Bardhë (rrjedha e sipërme), Bistrica e Pejës, Deçanit, Ereniku, dhe në lindje, pellgu Morava e Binçës.” – thuhet në njoftim.
IHK tutje ka njoftuar se problemet lokale janë të mundshme sidomos rrëshqitje dhe shembje të tokës.
“Nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu plus shkrirja e borës nga zonat e larta malore (derisa bora e re të fillojë të bjerë), problemet lokale janë të mundshme sidomos rrëshqitje dhe shembje të tokës.
– Pjesa Perëndimore: probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare është rrethe 30 % ndërsa 20-vjeçare: 3 %.
– Pjesa veriore: Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare: 41 % ndërsa 20-vjeçare: 27 %.” – shkruar Instituti Hidrometeorologjik në Facebook./Nacionale/








