Ish bashkëpartiaku i Pecit thumbon ministrin pasi publikoi pamje nga Sharri me fruta: “Shala të njeh mirë, Faton. Aty s’mbillen rrena, s’ke mbjellë asnjë projekt”

Xhevdet Ferizi, zyrtar i LDK-së në Mitrovicë, ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, i cili është edhe kandidat për kryetar të Mitrovicës, shkruan Mitropol.
Përmes një reagimi publik, Ferizi akuzon Pecin për anashkalim të Mitrovicës në investimet bujqësore dhe orientimin e tyre në rajone të tjera të vendit.
Duke iu referuar konkretisht zonës së Shalës së Bajgorës, Ferizi e quan hipokrizi faktin që ministri po promovon projekte bujqësore në komuna të tjera, ndërsa Mitrovicën – që pretendon ta udhëheqë – e kishte lënë pas dore.
Postimi i plotë i Ferizit:
“Faton Peci, cilat djerrina në Shalë të Bajgorës i shndërrove në plantacione boronicash?
Se këtu në Mitrovicë po kandidon, por postimet i ke prej Sharrit. Na trego drejt: a i ngatërron komunat me dron, apo veç e ke harru krejt Shalën?
Në Shalë të Bajgorës s’ke mbjellë asnjë projekt – as rrugë, as ujë, as përkrahje për fermerët. Tash, në fushatë, po na i shndërron djerrinat në plantacione boronicash… veç jo këtu, por në Prizren.
Prej Shalës s’ka shku asgjë në Itali, veç djemtë për me punu, se përkrahja s’erdhi kurrë.
Shala të njeh mirë, Faton. Aty s’mbillen rrena.”
Ferizi është ndër figurat lokale të LDK-së në Mitrovicë dhe ka qenë më herët bashkëpartiak i Pecit, para largimit të këtij të fundit nga partia. Kritikën e tij ai e lidh me mungesën e investimeve konkrete në zonat e Mitrovicës, veçanërisht në sektorin e bujqësisë.








