Kadri Kryeziu “i tërheq vërejtjen” Faton Pecit: “Nuk ekziston padi penale, vetëm kallëzim penal – kjo është manovër politike, jo juridike”

Një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, pas paralajmërimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë dhe kandidatit për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, se do të “ngrejë padi penale” ndaj disa gazetarëve dhe analistëve publikë, shkruan Mitropol.
Në një postim publik, Kryeziu i është drejtuar Pecit me tone të qarta dhe shpjeguese, duke e cilësuar nismën e tij si një “manovër politike” pa bazë juridike.
“Si manovër politike, veprimi yt është interesant dhe mund të ketë potencial për të mobilizuar bazën tënde votuese. Por, në aspekt juridik, kjo nismë nuk ka asnjë vlerë konkrete”, ka shkruar Kadri Kryeziu.
Ish-gjyqtari ka sqaruar se në sistemin juridik të Kosovës nuk ekziston koncepti i “padisë penale”, siç e ka quajtur Peci në komunikatën e tij, duke theksuar se personat fizikë apo juridikë nuk kanë kompetencë ligjore për të ngritur një të tillë.
“E vetmja palë e autorizuar për ta bërë këtë është Prokuroria e Shtetit. Ti mund të bësh vetëm një kallëzim penal, pra të njoftosh Prokurorinë për një dyshim të caktuar, por kjo nuk do të thotë se kallëzimi merret automatikisht në shqyrtim apo se prodhon efekt juridik”, ka shtuar Kryeziu.
Në planin politik, ai ka vlerësuar se veprimi i Pecit mund të ketë synim më shumë elektoral sesa ligjor, duke e lidhur këtë me garën e ngushtë për Mitrovicën.
“Nuk ka as përfitim politik real nga kjo lëvizje. Fitoret në zgjedhje nuk përcaktohen as nga exit pollet, as nga paditë. Ato fitohen me punë — lagje më lagje, derë më derë, sepse aty jepet verdikti real dhe final”, ka përfunduar ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese.
Ky reagim i Kadri Kryeziut ka hapur debat në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe figura publike po ndajnë mendime të ndara mbi nismën e Pecit, e cila vjen në një moment të ndjeshëm politik, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në Mitrovicën e Jugut.
Faton Peci kishte njoftuar më herët se do të paraqesë kallëzime ndaj disa emrave të njohur të mediave për “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve dhe falsifikim të rezultateve”, duke paralajmëruar se do të publikojë edhe dëshmi shtesë në ditët në vijim.
Në anën tjetër, reagimi i Kryeziut është parë si një kujtesë e qartë juridike, se ligji dhe politika shpesh ecin në kahe të ndryshme, dhe se “padia penale” nuk është mjet i vlefshëm në fushën e drejtësisë, sado që mund të tingëllojë fuqishëm në fushatën elektorale.








