Medi
02KOSOVËLAJMESHNETA

Kaos në Pediatri: Fëmijët dhe prindërit presin një orë pa trajtim në Spitalin e Mitrovicës

Situata në repartin e pediatrisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri” po shqetëson thellë qytetarët.

Sipas ankesës që disa prindër kanë dërguar në “Mitropol”, fëmijë të vegjël janë duke pritur tashmë mbi një orë për vizitë mjekësore, ndërsa pranë tyre nuk gjendet asnjë staf mjekësor, përveç recepsionistes e cila u ka thënë se mjeku ndodhet në vizitë.

Premium Store

 

Prindërit dhe pacientët e vegjël ankohen se procedurat po zvarriten tej mase dhe trajtimi i fëmijëve nuk po realizohet si duhet.

Ata theksojnë se mungesa e stafit është e dukshme.

“Nuk ka as motra medicinale që të japin infuzione apo kujdes të nevojshëm për fëmijët e sëmurë, të cilët mbeten të detyruar të presin në koridoret e ngushta të repartit.”, thanë ata për “Mitropol”.

“Është e papranueshme që një fëmijë i sëmurë të presë mbi një orë pa asnjë kujdes. Nuk ka askush që të marrë masat e nevojshme, dhe kjo po e rrezikon shëndetin e fëmijëve,” thonë disa nga prindërit.

Pacientët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga drejtoria e spitalit për të siguruar praninë e stafit të mjekëve dhe motrave medicinale, si dhe organizim më të mirë të pritjes në repart i cili nga viti i kaluar ka objektin e vet tepër modern për nga cilësia dhe pajisjet.

Situata, sipas tyre, ka degraduar deri në pikën që çdo vizitë duket e gjatë dhe e paorganizuar, duke krijuar tension dhe shqetësim te të gjithë prindërit që kërkojnë trajtim për fëmijët e tyre./Mitropol/

VIDEO

Pellini