Kapadaia në Vushtrri sillet me armë zjarri në çantë, Policia e kap në flagrancë në një kafene

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Një rast i tillë është zbuluar së fundi në qytetin e Vushtrrisë, ku Policia ka marrë informacione se një i ri posedon armë zjarri.
Njësitë policore gjatë patrullimit kanë parë të dyshuarin teksa kishte hyrë në një kafene, e që menjëherë janë vënë pas tij. Me të hyrë në lokal, policët janë ndalur për kontroll te 22-vjeçari, ku gjatë kontrollit trupor kanë gjetur dhe konfiskuar një armë bashkë me një karikator dhe 15 fishekë.
I dyshuari është arrestuar menjëherë dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“








