KB Trepça reagon ashpër për gjendjen e palestrës ‘Minatori’: Shpërfillje ndaj sportit dhe pasurisë publike

Klubi Basketbollistik “Trepça” ka shprehur indinjatë për mënyrën se si është trajtuar palestra “Minatori” në Mitrovicë, e cila shërben për aktivitete të shumta sportive, shkruan Mitropol.
Në një reagim në faqen zyrtare, KB Trepça theksoi se ka investuar mbi 100 mijë euro në këtë objekt gjatë katër viteve të fundit, duke synuar ruajtjen dhe përmirësimin e kushteve për stërvitje dhe zhvillimin e sportit.
“Ne nuk mund të pranojmë që palestra të degradohet, e veçanërisht që të shkaktohen dëme në parket, për të cilin janë investuar mjete të mëdha nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)”, thuhet në reagimin e klubit.
KB Trepça e akuzon KQZ-në dhe KKZ-në për keqtrajtimin e palestrës dhe lënien e saj në një gjendje të mjerueshme, duke theksuar se shpuza cigareje dhe dëmet tjera kanë bërë pothuajse të pamundur vazhdimin e stërvitjeve normale.
Po ashtu, klubi ka shprehur shqetësimin se për vitin 2025, asnjë klub sportiv në Mitrovicë nuk ka marrë subvencione nga komuna, duke theksuar se sporti mbahet gjallë vetëm përmes sakrificës.
Në fund, KB Trepça bëri thirrje për angazhimin e kryetarit të ri të Komunës, Faton Peci, për të siguruar që palestra “Minatori” të shfrytëzohet vetëm për qëllime sportive dhe që të kërkohen përgjegjësi nga organet që e kanë lënë në këtë gjendje.
“Palestra shfrytëzohet nga mijëra qytetarë dhe sportistë gjatë vitit dhe meriton trajtim të denjë dhe veprime të menjëhershme,” thuhet në reagimin e klubit.








