
KB Trepça me fitoren kundër Sigal Prishtinës ka arritur finalen e 7 radhazi, ku do të nis serinë e “Best of 5” kundër KB Pejës me fillim nga ora 20:00 të nesërmen në Minatori, shkruan “Mitropol”.
Xehtarët në 6 finalet e kaluara kanë bilanc të barabartë sa i përket fitoreve dhe humbjeve. Mitrovicasit nga 6 finalet e luajtura kanë arritur t’i sjellin Torcidës 3 trofe kurse 3 të tjerë i ka lëshuar nga dora.
Seria e 7 finaleve radhazi, sipas përmbledhjes që ka bërë Mitropol, nis me humbjen kundër Ponte Prizrenit me rezultat 89-81 në kuadër të Superkupës së Kosovës për edicionin 2021/22.
Edicioni 21/22 sjelli edhe finalen në Kupën e Kosovës, ku lojtarët e udhëhequr nga Lubomir Mincev arritën triumfin kundër Bashkimit me rezultat 76-62, ku ishte edhe kupa e vetme për atë sezon. Sezoni i kaluar Trepçën e gjeti në finalen e Play Off-it kundër KB Golden Eagle Yllit por që nuk arritën të triumfonin kundër suharekasve.
Sezoni 2022/23 filloi për Trepçën me organizim të Superkupës Mbarëkombtare në kuadër të Ligës Unike.
Minatorët në shtëpinë e tyre poshtëruan KB Tiranën me rezultat 92-52 për kupën e parë për këtë sezonë dhe finalen e fundit për Lubomir Mincev si trajner i Trepçës. Trepça me në krye Alek Joncevskin këtë sezon përsëri dështuan në Superkupën e Kosovës ku humbën në finale nga Sigal Prishtina me rezultat 73-54.
Pas ardhjes së Engin Gencoglut si trajner i Trepçës, ekipi buzë lumit Ibër arritën të triumfonin në Kupën e Kosovës dhe morrën hakmarrjen kundër Sigal Prishtinës duke e mposhtur me rezultat 74-66.
Pas 6 finaleve të luajtura me bilanc të barabartë, KB Trepça synon që bilancin e saj ta kthej në anën pozitive. Mitrovicasit titullin kampion e synojnë pas 11 viteve, kur edhe ishte hera e fundit që KB Trepça e fitoi atë./Mitropol/








