
Mesditën e djeshme, dy persona që kishin cak të kryenin një grabitje në institucionin mikrofinanciar ‘Finca’ në Mitrovicë, kanë terrorizuar punëtorët e kësaj kompanie. Nën kërcënimin e armës, dy të dyshuarit kanë arritur që të marrin rreth 1 mijë euro para të gatshme nga kasaforta. Pas veprimeve hetimore, ata kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, rast ky për të cilin raportoi “Mitropol”.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se dy të dyshuarit janë Dibran Dibrani 63-vjeçar dhe Safet Murseli 37-vjeçar.
Dibrani dhe Murseli pas kryerjes së veprës kanë ikur në drejtim të panjohur, duke menduar që do arrijnë të shpëtojnë nga duart e drejtësisë. Mirëpo nuk është vonuar shumë dhe ka qenë Dibrani ai i cili i pari është identifikuar dhe pas lokalizimit të vendndodhjes së tij, është arrestuar nga Policia.
Kërkimet për të dyshuarin e dytë, i cili ndodhej në arrati kanë vazhduar për orë të tëra. Murseli nuk e shijoi lirinë për shumë gjatë, pasi që sot rreth orës 10:00 të mëngjesit ka rënë në prangat e Policisë. Ai u arrestua në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ dhe më pas u shoqëruar në stacion policorë, ku para hetuesve ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








