Dukato 2
LAJME

KFOR: Çdo vendim për Urën e Ibrit duhet të merret në Bruksel në kuadër të dialogut

Tema e hapjes së Urës së Ibrit është bërë së fundmi temë në takimin e kryeministrit Albin Kurti me përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës është konfirmuar se në takimin e javës së kaluar në Qeverinë e Kosovës është diskutuar edhe për hapjen për vetura të Urës së Ibrit.

Medi

“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhej në njoftimin e Zyrës për Media të Qeverisë së Kosovës më 17 korrik.

Por, çfarë thonë për hapjen e Urës së Ibrit ata që janë të pranishëm në mënyrë konstante në Urën e Ibrit dhe në zonat përreth.

Zyra për media e KFOR-it kanë thënë se vazhdojnë të japin kontributin e tyre për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, duke përfshirë prezencën fikse në urën e Mitrovicës dhe patrullimet e rregullta në zonat përreth”.

Nga KFOR potencojnë se çdo vendim për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në Bruksel në kuadër të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, negociata këto që NATO vazhdon t’i përkrahë, përfshirë edhe përpjekjet e KFOR-it.

“Çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë përpjekjet e KFOR-it”, kanë thënë nga KFOR-i për Express.

Sot për Urën e Ibrit ka folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano ka thënë se çdo vendim duhet të merret në kuadër të dialogut dhe ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara.

Koha