Premium Store
LAJME

Kirurgjia në Mitrovicë – shembull i profesionalizmit


Profesori Avdulla Meha ka ndarë përvojën e tij personale me Spitalin Regjional të Mitrovicës, duke falënderuar ekipin profesionist të kirurgjisë për trajtimin shembullor të një familjari të tij, shkruan Mitropol.

Ai thekson nevojën për respekt ndaj mjekëve dhe dënon propagandën që cenon imazhin e tyre, duke theksuar se problemet e sistemit vijnë nga menaxhmenti dhe institucionet,e jo nga mantelbardhët

Shkrimi i plotë:

Me shkas

Këto ditë më ka rastisur të kem të shtrirë në Spitalin Regjional të Mitrovicës një familjar timin, me diagnozë: Cholecystitis Chr. Calculosa (gurë në tëmth -idhëz), për të cilën diagnozë shpesh shoh nëpër TV-të tona të propagandohet nga spitalet fantome anë e kënd Kosovës, se gjoja operimi me të tillë diagnozë bëhet me mjete të sofistikuara dhe nga specialistë me nam.

Rasti im, u operua dhe u trajtua në repartin e Kirurgjisë nga një ekip kirurgësh jashtëzakonisht mirë të përgatitur profesionalisht, në përbërje: kryesues Dr. Albert Miftari, në krah me Dr. Ilir Hajzeri, Dr. Erblin Ademi dhe anesteziologun e zot, Dr. Fatmir Ujkani; natyrisht duke mos harruar edhe stafin e mesëm teknik ndihmës gjatë operimt dhe atë përkujdesës në dhomën hospitalizuese!

Për ekipin në fjalë, këtë brez të ri, i cili përditë po bën mrekulli në fushën e kirurgjisë, duke e dëshmuar vetën në ndërhyrjet edhe më të vështira që rrallëkush mund të besojë se mund t’i kryejnë, kundruall kushteve që kanë në këtë institucion, shpreh falënderimet e mia më të sinqerta dhe mirënjohje të thellë për ndërhyrjen e shkëlqyer profesioniste gjatë operimit dhe përkujdesjen e vazhdueshme gjatë gjithë kohës së hospitalizimit!

Pra, spitali i Mitrovicës ka mjekë me nam, të nivelit botëror si profesionistë, të cilët po bëjnë mrekulli në këtë institucion shëndetësor, për çka ne duhet të besojmë në përgatitjen dhe përvojën e tyre e asesi të biem pre e propagandave dashakeqe në dëm të imazhit të tyre.

Si shoqëri shpesh derdhim vrerë mbi shëndetësinë tonë, me theks mbi mjekët tanë, duke i fajësuar e akuzuar pa të drejtë, si pasojë e mungesës së infrastrukturës dhe menaxhmentit të dobët. Prandaj, mjekët e sipërpërmendur dhe natyrisht dhe të tjerët nëpër profile tjera, po ia rikthejnë namin dhe emrin e dikurshëm këtij institucioni shëndetësor, por si shoqëri duhet të kemi konsideratë ndaj tyre, duke e kuptuar njëherë e përgjithmonë se mjekët nuk janë fajtorë për mungesat e materialeve esenciale qoftë për ndërhyrje kirurgjike apo edhe për kurimin e sëmundjeve të ndryshme akute a kronike! Fajtorë dhe përgjegjës janë menaxhmenti dhe MSH ( Ministria e Shëndetësisë) e cila ka nën tutelën e saj spitalet në nivel Republike!

P.S. Mjekët mbrojnë shëndetin tonë, ne duhet mbrojmë dinjitetin e tyre, i cili çdo ditë përdhoset nga injorantët dhe të panjerëzit!

Respekt për të gjithë mantelbardhët kudo që kryejnë misionin e tyre human e fisnik!

A.Meha

Active