
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albib Kurti ka kërkuar lirimin e luftëtarëve të lirisë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nga Haga, ku po mbahen sot e pesë vite, shkruan Mitropol.
“Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.
Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet.
Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar.
E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje.
Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre.”, shkroi ai në Facebook.
Kurti madje publikoi një letër që thotë se ia kishte dërguar Ekaterina Trendafiloves më 2022 për këtë çështje.
Kjo është përmbajtja e letrës:
E nderuara znj. Ekaterina Trendafilova,
Presidente e Dhomave të Specializuara të Kosovës
E nderuara Gjyqtare Trendafilova,
Teksa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Paqes, sot kujtojmë gjithçka që vendi ynë ka përjetuar dhe gjithçka që ka synuar të arrijë pas luftës së fundit: jo vetëm paqe, por edhe liri, barazi, unitet dhe integrim, të vërtetën dhe drejtësinë.
Po ju drejtohem pikërisht në këtë ditë, sepse shumë herë duket sikur historia po na rrëshqet nga duart — e harruar dhe e sulmuar nga të pavërteta, dezinformata dhe fushata me qëllim të keq.
Një nga shqetësimet tona kryesore janë Dhomat e Specializuara — gjykata që u themelua në vitin 2015 dhe që filloi punën me aktakuzat e para në vitin 2020. Në fillim të nëntorit do të shënojmë dy vjet që nga koha kur personat e fundit të akuzuar nga Kosova po mbahen në paraburgim në Hagë — disa prej tyre edhe më gjatë.
Para disa muajsh pata mundësinë të takoja të gjitha ekipet mbrojtëse dhe të dëgjoja drejtpërdrejt ankesat, kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me tërë procesin. Pikërisht për këtë arsye po ju shkruaj personalisht — për t’i ndarë dhe adresuar këto shqetësime, të cilat janë me rëndësi të jashtëzakonshme për popullin tonë, për familjet e të akuzuarve, për sistemin e drejtësisë, dhe – do të supozoja – edhe për vetë gjykatën.
Për hir të efikasitetit, do të përqendrohem në dy çështje shumë të rëndësishme: de-kontekstualizimin e aktakuzave nga lufta në Kosovë, pra nga krimet e tmerrshme të kryera nga Serbia, dhe çështjen e lirimit me kusht.
E shfrytëzoj këtë rast për t’ju bërë thirrje që ta zhvendosni fokusin mono-etnik të gjykatës dhe ta ktheni procesin në kontekstin e luftës në Kosovë. Nëse Dhomat e Specializuara janë themeluar për të trajtuar krimet e kryera gjatë luftës, atëherë pse nuk po hetohen krimet e tmerrshme të kryera në Prekaz? Apo masakra e Mejës, masakra e Reçakut, dhe qindra masakra të tjera, në të cilat mijëra shqiptarë u vranë, u dogjën dhe më pas u hodhën në varreza masive?
Dikush mund të ketë tundimin të përgjigjet me “Gjykata po heton pretendimet e raportit të Dick Marty-t.” Por procesi po tregon se kjo nuk është e saktë. Në momentin kur u publikuan aktakuzat, u bë e qartë për të gjithë ata që merren me procesin se asnjëra prej tyre nuk lidhej me raportin e Dick Marty-t, gjë që automatikisht vë në pikëpyetje pretendimin se ky ka qenë qëllimi i themelimit të kësaj gjykate.
Sa i përket lirimit me kusht, kanë kaluar pothuajse dy vjet që të akuzuarit po mbahen në paraburgim. Kjo ka qenë shumë e vështirë jo vetëm për ta, por edhe për familjet e tyre — veçanërisht për bashkëshortet dhe fëmijët, të cilët nuk arrijnë t’i shohin shpesh të dashurit e tyre. Dhe kur arrijnë, procesi i mbledhjes së dokumenteve, aplikimit për vizë, marrjes së vizës vetëm për disa ditë të caktuara, dhe mundësia për të fluturuar në Hagë vetëm përmes Vjenës çdo muaj, ka qenë dhe mbetet rraskapitës.
Ne besojmë se të akuzuarit mund të kthehen në shtëpitë e tyre ndërkohë që presin gjykimin, meqenëse Policia e Kosovës ka garantuar se mund të mbikëqyrë arrestin e tyre shtëpiak nëse është e nevojshme.
Për ta lehtësuar këtë proces si për familjet, ashtu edhe për të akuzuarit, jam i gatshëm të ofroj garanci shtetërore për lirimin me kusht të të gjithë të akuzuarve.
E nderuara Gjyqtare Trendafilova, shpresoj sinqerisht që këtë letër do ta trajtoni me të njëjtin seriozitet me të cilin e kam shkruar — me shqetësimin për popullin e vendit tim, për familjet e të akuzuarve, si dhe për sistemin e drejtësisë.
Pres me interes përgjigjen tuaj.
Me respekt,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës








