
Klubi i Gazetarëve Vushtrrias, pas një konsultimi me anëtarët, ka vendosur që tani e tutje të quhet Klubi i Gazetarëve “Blerim Zhabari”, në nderim të jetës dhe veprës së gazetarit shumëvjeçar Blerim Zhabarit, i cili dha një kontribut të madh në zhvilimin e gazetarisë në Vushtrri.
Po ashtu i ndjeri Zhabari ishte edhe një nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili aktivitetin e kishte filluar qysh herët në lëvizjet ilegale të atëhershme, e më vonë duke kthyer nga perëndimi edhe në frontin e luftës, deri në çlirimin e vendit.
Pas luftës është angazhuar në Komunën e Vushtrrisë si zyrtar për informim, e gjithashtu u angazhua edhe në gazetari ku punoi për të përditshmen “Zëri”, për një kohë të gjatë. Mandej themeloi gazetën online Veriu. info, të cilin e drejtoi deri në çastet e fundit të jetës. Blerim Zhabari ndërroi jetë papritmas në korrik të këtij viti.








