
Komuna e Mitrovicës ka mohuar t’i ketë larguar dy e-kiosqet e vendosura në qytet për interesa të ndonjë biznesi, njofton Mitropol.
Ky reagim i Komunës së Mitrovicës erdhi pas artikullit me titull ”Komuna largon E-Kioskun për t’ia lëshuar rrugën lokalit të “Fibello” që pritet të hapet në ish-objektin e Bibliotekës” më 15 korrik.
Komuna e Mitrovicës është zotuar se e-kiosqet e vjetra do zëvendësohen me ato të reja.
”Drejtoria e Administratës në mënyrë që qytetarëve të Mitrovicës t’ju ofroj shërbime sa më të shpejta dhe efikase, ka bërë largimin e E-Kioskave të cilat tani e një kohë të gjatë ndodhen jashtë funksionit, për t’i zëvendësuar ato me E-Kioska të reja.”
“Gëzim Stavileci, drejtori i Administratës, ka bërë të ditur se në kuadër të planit të punës së drejtorisë, do të ketë avancim dhe digjitalizim të shumë shërbimeve komunale, duke përfshirë këtu edhe E-Kioskat, në mënyrë që qytetarët të pranojnë shërbime sa më profesionale dhe të shpejta.
Po ashtu, nga drejtori Stavileci është potencuar se largimi i E-Kioskave të vjetra dhe zëvendësimi i tyre me pajisje të reja, do të lehtësoj procesin e pajisjes së qytetarëve me dokumente të gjendjes civile.”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.
Përmes këtij shkrimi, Mitropol demanton tekstin e mëhershëm, pasi Komuna e Mitrovicës ka ofruar argumente të mhaftueshme se e-kioqet e vjetra do të zëvendësohen me ato të reja.








