Konflikt familjar në Hajvali: Motrat rrahin motrën që shkoi për vizitë, i rezistojnë arrestimit – intervenojnë disa njësi

Rastet e dhunës në familje pothuajse çdo ditë po rriten edhe më shumë dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta, të keqtrajtimit fizik e psikik kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga familjarët e tjerë Ato shpesh kërkojnë mbrojtje institucionale, por jo gjithmonë shteti arrin t’i mbrojë.
Në vazhdën e këtyre ngjarjeve mjaft të rënda që po ndodhin në familjet kosovare, Sinjali ka mësuar për një rast të tillë që ka ndodhur së fundmi në një familje në Hajvali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se edhe këtë herë, viktimë është një grua, por e cila u sulmua fizikisht nga motrat, pasi shkoi te familja e saj për t’i vizituar.
Rasti u zbulua pasi Policia mori informacionet për dhunën në këtë familje dhe intervenoi menjëherë në vendin e ngjarjes, por që u përballë me rezistencë pasi personat e përfshirë shpërfillen urdhrat e zyrtarëve policorë, të cilët u detyruan t’i arrestojnë.
Pasi asistuan edhe disa njësi, Policia u detyrua që ta vë situatën nën kontroll, duke i arrestuar personat e dyshuar, që i penguan në punën e tyre.
Motivet e incidentit janë akoma të panjohura, por tashmë Policia ka iniciuar ndaj tyre, jo vetëm për rastin e sulmit ndaj viktimës, por edhe për pengimin e zyrtarëve policorë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia, me ç’rast është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.








