KQZ tregon se më 26 qershor hapet afati i regjistrimit të kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar se prej 26 qershorit deri më 13 gusht, partitë politike, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, shkruan Mitropol.
KQZ tha se për dallim nga nismat qytetare, koalicionet dhe kandidatët e pavarur, partitë politike regjistrohen automatikisht.
“Duke filluar nga 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Për dallim nga koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme partia politike e regjistruar është automatikisht e certifikuar.
“Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna do të garojnë dhe të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për komunat përkatëse”, tha Elezi, transmeton RTK.
Se a mund të kandidojnë personat e dënuar për vepra penale, tha se neni 30 i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme e jep përgjigjen
“Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tha Elezi.
Zgjedhjet komunale do të mbahen më 12 tetor 2025./Mitropol/







