Krenari: Mitrovicasi Granit Musliu nderohet me çmimin prestigjioz gjerman “Kunstförderpreis 2025”

Këngëtari lirik nga Mitrovica, Granit Musliu, ka shënuar një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës së tij artistike, duke u nderuar me çmimin Kunstförderpreis 2025 nga Ministria e Kulturës së Bavarisë, shkruan Mitropol.
Ceremonia është mbajtur mbrëmë nën udhëheqjen e Ministrit të Shtetit për Kulturën në Bavari, Markus Blume, ku Musliu mori vlerësimin në kategorinë e Artit Skenik, një prej çmimeve më prestigjioze që u dedikohet artistëve me ndikim të qartë dhe arritje të spikatura në skenën kulturore gjermane.
Musliu e cilësoi çmimin si nder të madh dhe privilegj të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ky vlerësim vulos një etapë të rëndësishme të rrugëtimit të tij artistik, nga skenat e Bayerische Staatsoper, tek Dresdner Oper, Hamburg, e deri te angazhimet e ardhshme në Kopenhagen, Lausanne, Sanxay dhe teatrot e tjera të njohura evropiane.
Sipas tij, ky çmim shënon një ngritje të re profesionale dhe një motiv shtesë për të ecur përpara me më shumë pasion, vendosmëri dhe vizion artistik. Arritja e Musliut është pritur me admirimin e komunitetit artistik dhe jetësohet si një shembull i fuqishëm i suksesit të artistëve nga Kosova në skenën ndërkombëtare.
Mitrovicasi Granit Musliu, me talentin dhe punën e tij të pandalur, po e çon emrin e vendit edhe më lart në artin operistik evropian./Mitropol/








