Kurti: Kosova në mbështetje të Ukrainës derisa ta fitojë luftën kundër Rusisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes platformës X ka shkruar me rastin e dy vjetorit të invazionit rus në Ukrainë.
Kurti ka thënë se si pasojë e këtij sulmi të Rusisë, janë mbi 6 milionë refugjatë ukrainas jashtë shtetit të tyre, mijëra të vdekur dhe ka shkatërrim masiv të shtëpive.
Kurti ka thënë se kërcënimi për sigurinë e Evropës s’ka mundur të ishte më i ashpër se kaq.
Tutje, ai është shprehur se përballë gjithë këtij agresioni, populli ukrainas ka rezistuar me sukses kundër Rusisë dhe përpjekjes së Putin për ta pushtuar Kievin.
“Përballë agresionit brutal, populli ukrainas i ka rezistuar me sukses përpjekjes së Rusisë për të kapur dhe pushtuar Kievin. Ushtarët e tyre vazhdojnë luftën e një populli të tërë – aq të guximshëm dhe të vendosur si kurrë më parë. I përshëndesim dhe premtojmë mbështetjen tonë të palëkundur, derisa fitorja të jetë e tyre”, ka shkruar Kurti.








