LAJME

Kurti para gjermanëve: Duam t’i bashkohemi BE-së, NATO-s dhe KiE-së

Kryeministri Albin Kurti ka përmendur qëllimin e Kosovës për integrimin euroatlantik, zgjerimin e BE-së, NATO-s dhe Këshillit të Evropës.

Ai kështu u deklarua pasi pati një mëngjes pune në Fondacionin Bertelsmann, me personalitete të rëndësishme e studiues, në mesin e tyre deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e social demokratëve, Frank Schwabe, drejtuesin e Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtoren ekzekutive të fondacionit, Daniela Schwarzer në Berlin të Gjermanisë.

Florenti Company
Koha
Market Florenti

“Hapin e parë e bëmë në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe shumica e demokracive në Evropë na njohën. Hapi i dytë ka të bëjë me bashkimin me institucionet që janë shtyllat e Evropës demokratike. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s si një ombrellë sigurie për kontinentin tonë. Ne duam t’i bashkohemi Bashkimit Evropian si projekti dhe procesi më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit. Por, hapi i parë që duhet të bëjmë tani është t’i bashkohemi klubit të parë të demokracive evropiane, i krijuar pikërisht në këtë muaj 75 vjet më parë në Londër: Këshilli i Evropës”, tha Kurti.

Ai shtoi se Qeveria është e përkushtuar në respektimin e vlerave të përbashkëta, të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. I bëri thirrje zyrtarëve të Gjermanisë që të vijojnë ta mbështesin Kosovën edhe në fazën e fundit të votimit dhe arritjes së anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.