Kurti: Rikthimi në EQAR, sukses i madh për arsimin në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Rikthimi i anëtarësimit të Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR), është një sukses i madh dhe i rëndësishëm, shkruan Mitropol.
Kurti ka theksuar se qenurit pjesë e EQAR-it, do të thotë se edhe studentët tanë kanë mundësi të kenë qasje të plotë në programet e BE-së.
Ai gjithashtu përmendi edhe përpjekjet e MASHT-it për të mbështetur Agjencinë e Kosovës për Akreditim, duke theksuar mundësimin e kushteve të përshtatshme për veprim të pavarur.
Postimi i plotë:
Rikthimi i anëtarësimit të Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR), është sukses i madh dhe i rëndësishëm i cili qëndron si dëshmi e punës dhe angazhimit për të rritur cilësinë e arsimit të lartë e përafruar atë me standartet evropiane.
Vendi ynë ka qenë edhe më herët anëtar i këtij organizmi, por në vitin 2018 e patëm humbur anëtarësinë për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë së atëhershme të PAN-it në strukturën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).Qeveria jonë, përmes ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që në vitin 2021 filloi punën për ta mbështetur AKA-në, duke ia mundësuar kushtet e përshtatshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe autonome, me profesionalizëm dhe përkushtim.








