Kush është koloneli francez “proserb” që ka “ndarë” Mitrovicën ?

Gjatë qershorit të vitit 1999, forcat franceze hynë në Kosovë dhe u vendosën në veri të Mitrovicës, shkruan Mitropol.
Megjithatë, vendosja e tyre në këtë pjesë të vendit erdhi me disa sfida për shkak të tensioneve të vazhdueshme në mes të serbëve dhe shqiptarëve, posaçërisht në qytetin e Mitrovicës.
Duke parë këtë situatë, komandanti i njësisë speciale të forcave franceze, koloneli Jacques Hogard mori një vendim drastik, duke vendosur kështu tela tela xhembor në urën e Ibrit, për çfarë edhe kishte folur në një intervistë të publikuar në një media serbe.
Për këtë vendim të 25 qershorit 1999 dhe disa tjera që pati marrë si drejtues i trupave franceze në Mitrovicë, Hogard u quajt shpëtimtar e hero, nga serbët.
Madje, ai u nderua me çmime e dekorata të shumëta, një prej tyre edhe për “shërbimin e tij meritor në promovimin e interesave serbe”, dhe për veprimet e tij ushtarake në Kosovë të cilat ia ndau presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, në nëntor 2023.
Jamie Shea, që në kohën e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, më 1999 ishte zëdhënës i Aleancës, thotë se do ta refuzonte një dekoratë të tillë.
Ndërkaq, një mitrovicas që nuk i përket komunitetit shqiptar, e as atij serb, thotë se Hogard bëri veprime që ishin në shërbim të qëllimeve të Serbisë për të ndarë Kosovën.
Hogard është autor i librit “Evropa vdiq në Prishtinë”në të cilin ai shkruan për përvojat e tij në Kosovë, ku në mes të tjerash koloneli që konsiderohet si komandanti që lejoi dhe konsolidoi ndarjen e Mitrovicës, e përshkruan këtë të fundit si pika ku “Evropa humbi fytyrën” teksa pretendon të arsyetojë veprimet trupave franceze me ruajtjen e paqes dhe shmangien e përplasjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve me serbët.







