Kushtetuesja: Po i shqyrtojmë lëndët e PDK-së e LDK-së për veprimet e Avni Deharit

Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i janë grumbulluar disa lëndë nga të cilat pritet që të kuptohet epilogu i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që s’po i shihet fundi, shkruan Mitropol.
PDK dhe LDK në fillim të këtij muaji çuan lëndët e tyre në këtë gjykatë, ndërsa dje numrin e shtoi edhe presidentja e vendit, e cila kërkoi përgjigje se çfarë ndodh pas datës 26 korrik – afati i fundit për konstituim dhënë nga Kushtetuesja në një aktgjykim të qershorit.
Kushtetuesja ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat kanë dorëzuar lëndë kryesisht për vlerësim të kushtetutshmërisë në lidhje me votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë dhe kushtetutshmërinë në seancat e mbajtura në Kuvendin e Kosovës.
Më 3 korrik, Partia Demokratike e Kosovës kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kontestoi kërkesën e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë.
Përveç partive politike, dje veprime ndërmori edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ajo iu drejtua Kushtetueses me pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse afati i dhënë nga vetë Kushtetuesja nuk respektohet nga deputetët dhe seanca konstituive do të vazhdojë të mbahet me skenarin e njëjtë sikurse në 50 herët e kaluara.
Përveç kësaj, Osmani ka kërkuar një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor me arsyetimin që të shmangen veprimet kundërkushtetuese dhe që institucionet të formohen pas afatit.m








