Ky është emri i agjencisë dhe shoferit që tentuan kontrabandimin e migrantëve të paligjshëm në linjën Mitrovicë-Beograd

Ditën e djeshme Policia e Kosovës ka realizuar një operacion ku u ndalua një tentim kontrabande me migrantë të paligjshëm në kufirin Kosovë–Serbi, i cili operonte në linjën Mitrovicë–Beograd.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë ndaloi një autobus të kompanisë “Joe Travel”.
Gjatë kontrollit, në katin e parë u gjetën vetëm 8 pasagjerë të rregullt, ndërsa në katin e dytë u zbuluan 18 migrantë të paligjshëm, të paregjistruar në listën zyrtare të udhëtarëve.
Të dyshuar për këtë tentim kontrabande janë pronari i agjencisë dhe shoferi i autobusit, Branislav Djurgjević, të cilët sipas hetimeve fillestare dyshohet se ishin të përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e transportit të migrantëve.
Në mesin e personave të ndaluar ishin: 5 shtetas palestinez, që kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze, 6 shtetas nga Bangladeshi, me viza pune, por me vendim largimi nga Kosova, 7 shtetas egjiptian, që kishin hyrë nga Shqipëria dhe synonin kalimin në Serbi e më tej në BE.
Shoferi dhe pronari i agjencisë janë shoqëruar në stacion policor, ku pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, ndaj tyre është shqiptuar masa e mbajtjes.
Ndërkohë, migrantët janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj.
Policia e Kosovës ka theksuar se ky operacion është dëshmi e përkushtimit për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe kontrabandën me njerëz.








