Lagjja “Amina” nga ARIANI COMPANY “masakroi” asfaltin në vlerë prej 13.000€, firma punuese bëhet për gjykatë

ARIANI COMPANY nga Vushtrria është firma ndërtuese që po kryen ndërtimin e lagjes “Amina” në Zonën Industriale në Mitrovicë.
Në mënyrë që lagjja të furnizohet me ujë, ARIANI COMPANY zgjodhi që të sigurojë prerjen e asfaltit në qytet pa lejen e askujt, shkruan Mitropol.

Firma kërkoi nga ujësjellësi ta bëjë instalimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë, për çka këta të fundit angazhuan firmën “Urban OP” për prerjen e asfaltit në gjatësi prej 260 metrash, për çka do duhej të kërkohej leja e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë.
Leja për prerjen e 1 metri asfalt kushton 50 euro, andaj për t’i ikur pagesës prej 13.000 eurosh për 260 metra asfalt, për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Amina” të ndërtuar nga ARIANI COMPANY, firma “Urban OP” zgjodhi që punimet t’i kryente pa leje nga DSHPI, duke dëmtuar pronën publike.

Me të marrë lajmin, në vendin e ngjarjes ndërhyri inspeksioni komunal, duke urdhëruar kthimin e asfaltit në gjendjen e mëparshme në afatin ligjor prej 15 ditësh, njofton “Mitropol”.
Por, kompania zgjodhi që mos ta përfillë vendimin e Inspeksionit, prandaj për të njejtit inspektoriati procedoi lëndën duke dërguar fletëparaqitjen në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, tek Departamenti per Kundërvajtje.
“Mitropol” ka siguruar dokumentin e kërkesës për inicim të procedurës kundërvajtëse drejtuar Gjykatës Themelore nga Drejtoria e Inspeksionit.

Se kanë inicuar procedurë kundërvajtëse për dëmtim të pronës publike, pra prerjen e asfaltit pa autorizim e ka konfirmuar për “Mitropol” edhe drejtori i Inspeksionit, Valon Brahimi.

Gjendja e asfaltit mbetet e mjerueshme, siç mund të shihet edhe nga fotografitë e realizuara nga “Mitropol”, për çka banorët e zonës përreth janë ankuar në redaksi të portalit, duke thënë se firma ARIANI duke u përkujdesur që gjithçka në lagjen që po ndërton të shkon si duhet, ua ka dëmtuar lagjen e tyre./Mitropol/







