Lekaj pas deklaratës së Pecit: Pa marrëveshje për shumicën, është e vështirë të kemi Kuvend dhe Qeveri këtë javë

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është shprehur optimist se gjatë kësaj jave mund të konstituohet Kuvendi por edhe të formohet Qeveria, shkruan Mitropol.
Mirëpo, ndryshe nga ministri Peci po mendojnë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Zyrtari i këtij subjekti politik njëherësh ish-deputet i AAK-së, Pal Lekaj, tha se deklarime të tilla bëhen për të qetësuar bazën dhe mbajtur kontrollin mbi debatet.
Lekaj tha se ka më shumë gjasa të jetë narrativë se sa realitet.
“Pa marrëveshje për shumicën, është e vështirë të kemi Kuvend dhe Qeveri këtë javë. Këto deklarata duket se bëhen më shumë për të qetësuar bazën dhe për të mbajtur kontrollin mbi debatet, sesa si paralajmërim real për formim të menjëhershëm Kuvendit dhe të Qeverisë” është shprehur tutje Lekaj.







