
Lëvizja Vetëvendosje i ka shpallur zgjedhjet e brendshme të përgjithshme.
Nisur nga vendimi i Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lartë, nga 15 marsi, secili anëtar i Lëvizjes do të ketë të drejtë për të votuar e për t’u kandiduar.
“Në 30 qendra të Lëvizjes në Kosovë, anëtarët e Lëvizjes do të kenë mundësi që përmes parimit “një anëtar, një votë” të zgjedhin kryesitë e kryetarët e pikave nëpër lagje e fshatra, të propozojnë kandidatët që vlerësojnë më së shumti apo edhe të vetpropozohen”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.
Tutje thuhet se të gjithë anëtarët do të kontaktohen për të marrë pjesë në zgjedhje, derisa “Lëvizja fton të gjithë anëtarët që të bashkohen në këtë proces zgjedhor”.








