Lista Serbe s’u ndahet propagandave, thotë se Kurti mund të inskenojë sulme ndaj EULEX-it dhe KFOR-it

Lista Serbe ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri të vendit, atje ku mbrëmë pati edhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Përmes një komunikate, partia e dirigjuar totalisht nga Beogradi, hodhi akuza të pabaza ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovë, Albin Kurtit.
Sipas tyre, shefi kosovar i ekzekutivit mund t’i inskenojë sulmet e tilla ndaj EULEX-it e KFOR-it, vetëm për t’ua lënë fajin serbëve.
“Shtabi i krizës në emër të popullit serbë i bën thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të rrisin vigjilencën. Shprehim dyshime serioze se Kurti është i gatshëm të organizojë një sulm ndaj anëtarëve të këtyre misioneve dhe të akuzojë serbët për këtë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Propaganda e tyre s’u ndalë me kaq. Siç thuhet në pjesën tjetër të komunikatës, ajo që ndodhi mbrëmë ka qenë sepse KFOR-i e EULEX-i nuk po e mbështesin të ashtuquajturin regjim të Kurtit.
“Refuzimi i KFOR-it dhe EULEX-it për t’u vënë në shërbim të regjimit diktatorial anti-serb të Albin Kurtit është arsyeja pse Kurti kërkon të sajojë sulme ndaj këtyre organizatave me gënjeshtra”. /Nacionale








