Mbi 100 zjarre të raportuara në Kosovë gjatë orëve të fundit- një zjarrfikës i lënduar

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre, shkruan Mitropol.
Agjencia njoftoi se një zjarrfikës është lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.
“Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.
Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.








