Minatorët e Trepçës përballë padrejtësisë: Gjykata refuzon kërkesat për trustin pensional, Sindikata paralajmëron masa

Pas gjashtë viteve pritje dhe përpjekjesh të vazhdueshme për të fituar të drejtën e tyre ligjore, minatorët e Trepçës ndihen të braktisur nga sistemi i drejtësisë dhe institucionet që duhej t’i mbronin.
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka njoftuar sot se rastet gjyqësore të iniciuara në Gjykatën Themelore – Dega në Mitrovicë, që kishin për qëllim kompensimin e mos-pagesës së trustit pensional, kanë filluar të shqyrtohen, por me rezultate zhgënjyese, shkruan Mitropol.
Në njoftimin e bërë publik, Sindikata shpreh indinjatën e saj të thellë për faktin se, sipas informatave zyrtare që ka marrë, gjykata ka filluar t’i refuzojë kërkesat e punëtorëve, me arsyetimin se ata “nuk kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje gjyqësore për realizimin e kërkesave për pagesën e kontributeve pensionale nga punëdhënësi”.
Një vendim i tillë, sipas Sindikatës, bie ndesh me çdo parim të drejtësisë sociale dhe ekonomike, duke lënë pa zë një kategori punëtorësh që për dekada kanë mbajtur gjallë zemrën industriale të Kosovës – minierat e Trepçës.
“Shumat që ndërmarrja i ka borxh minatorëve tashmë kanë kaluar në miliona euro. Përveç mungesës së kontributeve, jemi dëmtuar edhe nga humbja e fitimeve që Trusti do t’i kishte realizuar përmes investimeve ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Minatorët, të cilët për vite me radhë kanë punuar në kushte të rënda dhe në profesione me rrezik të lartë, tash përballen me pensione minimale e me mungesë të kontributeve që ligjërisht u takojnë. “Është për të ardhur keq që statusi i minatorit në Kosovë mbetet i rëndë”, theksohet më tej në njoftim, duke nënvizuar se situata aktuale e ka vështirësuar ndjeshëm jetesën e tyre dhe të familjeve që varen nga këto të ardhura.
Sipas Sindikatës, përgjegjësia për këtë gjendje nuk bie vetëm mbi menaxhmentin e ndërmarrjes, por edhe mbi institucionet mbikëqyrëse, veçanërisht Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), e cila “tash e gjashtë vite nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz ndaj Trepçës sh.a., ndonëse është detyrë e saj ligjore të detyrojë ndërmarrjet për pagesën e kontributeve pensionale”.
Në një zhvillim edhe më shqetësues, Sindikata ka bërë të ditur se ndërmarrja Trepça jo vetëm që ka kundërshtuar kërkesat e minatorëve në gjykatë, por madje ka kërkuar që gjykata t’i obligojë vetë punëtorët të paguajnë shpenzimet gjyqësore – një veprim që Sindikata e cilëson si “fyes dhe dekurajues ndaj atyre që kanë sakrifikuar jetën nën tokë për të mbajtur gjallë këtë ndërmarrje”.
Në fund, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë thirrje publike për dialog urgjent me menaxhmentin e ndërmarrjes, me qëllim që të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për pagesën e trustit pensional, duke paralajmëruar se nëse kjo nuk ndodh, “do të ndërmerren hapat e nevojshëm sindikal për mbrojtjen e të drejtave të minatorëve”.
“Kërkojmë që gjykata të na lejojë të drejtën për qasje në drejtësi, si një e drejtë bazike dhe e garantuar ligjërisht. Në të kundërtën, do të jemi të detyruar të reagojmë në mënyrë sindikale për të mbrojtur punëtorët tanë,” përfundon reagimi i Sindikatës./Mitropol/







