Mitropol i shqetësuar për vendimin e jashtëligjshëm të KQZ-së për mos akreditimin e vëzhguesve të mediumit

Mitropol Media ka pranuar me shqetësim vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos akreditimin e dy vëzhguesve të mediumit për Zgjedhjet Lokale të 12 Tetorit 2025.
Ndonëse në vendimin e KQZ-së theksohet se pas verifikimit të dokumentacionit mediumi plotëson kriteret për tu akredituar për zgjedhjet e së dielës, “në takimin e KQZ-së të mbajtur më 9 tetor 2025 është hapur diskutimi në lidhje me aplikimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare, ku disa anëtar të KQZ, kanë ngritur dyshime mbi vërtetësinë e mediave të paraqitura, përfshirë origjinën dhe legjitimitetin e dokumenteve të dorëzuara”.
Andaj – thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi – “me rastin e votimit, media e lartcekur [Mitropol Media Sh.P.K] nuk ka marrë votat e nevojshme për akreditim, nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve“.

Mitropol e sheh këtë vendim si të jashtëligjshëm e të papranueshëm dhe që dëmton drejtpërdrejt funksionimin dhe lirinë e medias si vëzhguese e pavarur e proceseve demokratike.
Mitropol Media siguron opinion publik se mediumi i themeluar në gusht të vitit 2020, që drejtohet nga gazetari Urall Boshnjaku, është i regjistruar në Agjencinë e Regjistrit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), si dhe si është anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), dhe se dokumentet e dorëzuara në KQZ janë legjitime dhe lehtësisht të verifikueshme.
Mitropol apelon që KQZ të rishqyrtojë këtë vendim, në mënyrë që të garantohet trajtim i barabartë për të gjitha mediat dhe të sigurohet një proces zgjedhor transparent, ku informimi i drejtë dhe i pavarur të mos vihet asnjëherë në pikëpyetje.
Mitropol të premten, përveç që ka dorëzuar ankesë sot në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për vendimin e KQZ-së do t’i njoftojë zyrtarisht edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe organizatat tjera që mbrojnë lirinë e medias, si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që ndërvite mbështesin mediumin dhe gazetarinë e pavarur e profesionale.








