Mitrovica drejt transformimit: Tahiri njofton se nesër nis projekti për stacionin modern të autobusëve

Mitrovica po hyn në një kapitull të ri të zhvillimit urban. Nënkryetari i komunës, njëkohësisht kandidati i PDK-së për kryetar në zgjedhjet e 12 tetorit, Arian Tahiri, ka prezantuar sot vizualizimet e projektit të madh për transformimin e Stacionit të Autobusëve, punimet e të cilit nisin që nesër.
Tahiri ka theksuar se ky investim do ta kthejë stacionin në një hapësirë moderne, funksionale dhe dinjitoze për qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë çdo ditë nga Mitrovica.
“Ky do të jetë një stacion i ri, që reflekton vizionin tonë për një qytet bashkëkohor, të sigurt dhe të qasshëm për të gjithë,” ka thënë ai në njoftimin e bërë në rrjetet sociale.
Sipas prezantimit, stacioni i ri do të ketë:
✅ Hapësira moderne për udhëtarët dhe operatorët e transportit;
✅ Sisteme digjitale për informim dhe orientim;
✅ Qasje të lehtësuar për personat me nevoja të veçanta;
✅ Ambient të sigurt për të gjithë;
✅ Infrastrukturë të gjelbër dhe energji efikase.
Pamjet e para të projektit tregojnë një ndërtesë më moderne me dy kate, me hapësira funksionale dhe dizajn bashkëkohor që do ta ndryshojë pamjen e qytetit.
“Në shërbim të Mitrovicës!” – ka përfunduar Tahiri, duke e shoqëruar këtë njoftim me hashtagun #PDK191, që lidhet drejtpërdrejt me fushatën e tij zgjedhore./Mitropol/







