Mitrovica ndizet me energjinë e FIBA Europe Cup: Trepça përballet me Anwil Włocławek në “Minatori”

Sonte nga ora 18:30, qyteti i Mitrovicës do të ndizet me emocionet e basketbollit evropian, teksa KB Trepça përballet me ekipin polak Anwil Włocławek në kuadër të FIBA Europe Cup. Ndeshja zhvillohet në palestrën “Minatori”, e cila pritet të mbushet me tifozë gjelbër e zi që do ta përkrahin skuadrën vendase në kërkim të fitores së parë në Grupin J të garës.
Nga klubi kanë bërë thirrje për mbështetje të madhe nga tifozët, duke e cilësuar duelin si një sfidë që kërkon “zemër, forcë dhe zërin e çdo përkrahësi gjelbër e zi”.
“Tani është koha të tregojmë karakterin e Trepçës dhe fuqinë e Minatorit që nuk ndalet kurrë”, thuhet në njoftimin e klubit mitrovicas.
Pas përballjes evropiane, Trepça do ta mbyllë javën me një tjetër sfidë të madhe në Superligën e Kosovës. Të shtunën, më 1 nëntor, nga ora 19:00, skuadra gjelbër e zi do të rikthehet në parket përballë Golden Eagle Yllit.








